Ekonomi

Rajoni qendror mban 50% të PBB-së së vendit. Veriu më i varfëri

Në vitin 2020, sipas rajoneve statistikore PBB-ja me çmime korrente u vlerësua 1.64 triliardë lekë duke shënuar një rënie në terma realë me -3.5 %, krahasuar me vitin 2019, lidhur kjo me kufizimet nga pandemia e Covid-19.

Kontributin më të madh e ka dhënë qarku i Elbasanit me 0.02% dhe qarku i Beratit me 0.01%.

Të gjitha qarqet e tjera kanë ndikuar negativisht, ku kontributin më të madhe e ka dhënë Tirana me 1.4% rënie, pasuar nga Durrësi me -0.6%.

Rritja reale e PBB-së sipas rajoneve statistikore u ngadalësua në të gjithë Qarqet e tjera, ku rënien me të lartë shënoi Qarku Lezhë me 6.3%, Qarku Dibër me 6.1% dhe Qarku Durrës me 5.8% të PBB-së.

Në vitin 2020, niveli i PBB-së për frymë arriti në 579 mijë Lekë. Krahasuar me vitin 2019, PBB për frymë në terma nominale shënoi një rënie me -2.27%.

PBB e Republikës së Shqipërisë e shprehur në Standardin e Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Standard – PPS) në vitin 2020 është 25.851 milionë PPS.

PBB për frymë në PPS për vitin 2020 për Republikën e Shqipërisë është 30.5 % e mesatares së Bashkimit Europian.

Statistikat sipas rajoneve

Në ndarjet rajonale, zona veriore e Shqipërisë vazhdon të jetë me ekonomi dhe fuqi blerëse më të ulët.  

PBB me çmime korente në rajonin Veri u vlerësua 372 mld lekë, me rënie 5.25%. PBB-ja për frymë aty u vlerësua 465 mijë Lekë, duke shënuar një rënie në terma nominale me -3.37%, krahasuar me vitin 2019. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi -19.8% nën mesataren e vendit. Niveli më i ulët i PBB-së për frymë në vitin 2020, u vlerësua në Qarkun Kukës me 365 mijë lekë.

PBB-ja për frymë në PPS në këtë rajon u vlerësua 24.4%.

Rajoni qendror është ai më i qëndrueshmi ku PBB-ja për 2020-n u vlerësua 818 mld lekë, sa pothuajse 50% e PBB-së. Por, nga 2019-a, ajo kishte rënë me 2.8%.

Në të njëjtën zonë, PBB për frymë u vlerësua 695 mijë Lekë, duke shënuar një rënie në terma nominale me -2.3%, krahasuar me vitin 2019. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 20% mbi mesataren e vendit. Niveli më i lartë i PBB-së për frymë në vitin 2020, ishte në Qarkun Tiranë, me 777 mijë lekë.

Sipas rajoneve statistikore, PBB-ja për frymë në PPS në rajonin Qendër për vitin 2020 ishte 36.6%.

PBB me çmime korente në rajonin Jug u vlerësua 452.8 mld lekë, me rënie 3.23%.

Në Jug, PBB për frymë u vlerësua 527 mijë Lekë, duke shënuar një rënie në terma nominale me -1.72%, krahasuar me vitin 2019. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi -9.% nën mesataren e vendit.

PBB për frymë në PPS për vitin 2020 në rajonin Jug ishte 27.7%


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë