Futboll

Video/ Fati me gjermanët, Eintraht fiton Ligën e Europës

Gazeta Si - Fati është me Eintraht Frankurt. Festa e gjitha për gjermanët në finalen e Ligës së Europës, e para nga tri finalet europiane të këtij sezoni. Ata mundën me penallti Gllasgou Rejnxhërs në “Sanchez Pizjuan” të Sevlijes, me rezultatin 6-5 (pas penalltive).

Koreografia e tifozëve të Eintraht Frankfurt në stadium. Gazeta Si, 18 maj 2022

Tifozët e Eintraht Frankfurt krijuan një atmosferë dhe një koreografi fantastike në stadiumin e Seviljes. Ata gjithashtu pushtuan edhe stadiumin e tyre në Frankfurt. Ia vlejti, sepse festa në fund ishte për ta.

Koha e rregullt u mbyll në barazim, 1-1. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, Aribo kaloi skocezët në avantazh, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes së Eintrahtit.

Gjermanët reaguan dhe barazuan shpejt me anë të Rafael Borre. Më parë, kur rezultati ishte 0-0, atyre iu anulua një penallti nga VAR-i. Minutat e fundit të kohës së rregullt, të dyja skuadrat bënë pak për të gjetur fitoren. Mbizotëroi frika e humbjes.

Të dy trajnerët u rezervuan për ndërrimet gjatë ndeshjes, duke parashikuar shtesat. Ata bënë nga dy lëvizje fillimisht dhe në 30 minutat shtesë edhe të tjerat. Asgjë nuk ndryshoi dhe fituesi iu la pikës së bardhë të penalltive.

Nga 10 penallti të gjuajtura, i vetmi që gaboi ishte një emër i njohur, Aron Ramsei i Rejnxhërs. Gjuajtja e tij u prit nga portieri Trap, i cili ishte vendimtar në fitimin e trofeut nga gjermanët.

Eintraht Franktfurt e ka merituar këtë trofe. Ekipi i drejtuar nga trajneri austriak, Oliver Glasner, ka eliminuar kundërshtarë si Barcelona dhe Uest Hem.

Para ndeshjes, në qytetin e Seviljes pati edhe përplasje fizike mes dy tifozërive. Madje, u shënuan edhe disa episode dhune, me grushte dhe goditje karrige mes tifozëve që kishin pushtuar qytetin spanjoll.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë