Trashëgimi

Prezantohet projekti për ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë

foto e muzeut qe do ndertohet

Nga Gazeta Si - Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit do të kenë një vend të dedikuar kujtese, që është Muzeu Hebraik Shqiptar, ngritja e të cilit mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Të martën u bë dhe prezantimi i projektit fitues nga studio izraelite “Kimmel Eshkolot Architects”, muze që do të hapet në qendrën historike të qytetit të Vlorës dhe do të tregojë të dokumentuar historinë e rrallë shqiptare të shpëtimit të hebrenjve në vitet e errëta të Holokaustit.

Në prezantim ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, ministrja e Kulturës Elva Margariti, etj.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama theksoi se është një nga gjërat më të munguara në gjithë hapësirën e territorit të vendit tonë një muze i një historie të jashtëzakonshme dhe mbase i një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve, që është historia e shpëtimit të hebrenjve për të cilën në këtë vend nuk ka asnjë adresë akoma.

“Jam realisht i kënaqur që sot hedhim një tjetër hap drejt krijimit të adresës së parë të kësaj historie, një muze hebraik në Vlorë ku ka pasur një komunitet të rëndësishëm hebre dhe ku është mundësia të ngrihet një strukturë e tillë në lagjen, ku ishte i përqendruar komuniteti hebre i Vlorës”, tha Rama. Në fjalën e tij, kryetari i AADF, Michale Granoff  pohoi se ky muze ka mundësinë dhe potencialin të jetë simbol, që mund të bëjë krenar njerëz në të gjithë botën.

“Është një shembull që shqiptarët jo vetëm të mësojnë diçka për historinë e tyre, por edhe diçka që ta kenë krenari dhe mundësi që njerëzit të vizitojnë Shqipërinë dhe të mësojnë diçka mbi trashëgiminë kulturore të këtij vendi, që mbase nuk e dinin se ekzistonte”, u shpreh ai.

Ndwrsa ministrja Elva Margariti tha se në këtë muze janë historitë e atyre mijëra hebrenjve, që gjetën një derë të hapur jo vetëm në shtëpitë e shqiptarëve, por gjetën një derë të hapur në zemrat e tyre. “Ky muze tanimë është edhe një tempull kujtese”, pohoi Margariti.

Me ndërtimin e këtij muzeu në Vlorë pritet të vendoset një standard i ri për muzetë në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë