Gazeta Si – Spanjollja ‘Marca’ zbulon prapaskenat e transferimit të Kilian Mbape te Reali. Ajo shkruan se sulmuesi ka takuar javën e kaluar drejtuesit madrilenë dhe ka pranuar ofertën e tyre.
Përfaqësues të lojtarit dhe drejtues të klubit madrilen kanë plotësuar akordin përfundimtar, tani mungon vetëm firma zyrtare në kontratë.
Megjithatë, kërkohet qetësi nga Reali, përderisa ende nuk është hedhur e zeza mbi të bardhë. Klubi spanjoll nuk nxitohet aspak, sipas “Markës’, edhe për faktin se gjatë tratativave të gjata ka pasur interferenca të ndryshme.

Klubi i PSG-së ka vendosur në tavolinë oferta faraonike për rinovimin me Kilian Mbape. Madje, ka ndërhyrë edhe politika në këtë çështje. Të gjithë kanë bërë presion që Mbape të qëndrojë, por duket se nuk ia kanë arritur qëllimit.
Dëshira e sulmuesit ka qenë që në fillim të veshë fanellën e “Los Blancos”. Francezi deshi që kjo lëvizje të bëhej që vitin e kaluar, por nuk u bë e mundur. Tani ka ardhur momentin për ta parë një nga lojtarët më të mirë në qarkullim si madrilen.
Taktika e presidenti Florentino Perez ka qenë e thjeshtë. Nuk ka dashur asnjëherë ta zyrtarizojë transferimin, por me anë të njerzëve të besuar ka qëndruar shumë pranë asit francez.
Çdo gjë ka shkuar sipas planeve. Të hënën e kaluar, gjatë vizitës së Mbape në Madrid, u bë takimi me drejtuesin e Realit Jose Angel Sançez dhe stafin e tij. Sulmuesi ka thënë “po”, edhe pse për njoftimin zyrtar duhet pritur.
Duhet edhe pak kujdes, në mënyrë që lojtari të mbyllë detyrimet kontraktuale me PSG-në. Në Spanjë shtohen zërat për njoftimin zyrtar, që ka mundësi të vijë para finales së Ligës së Kampionëve. Për të karikuar edhe më shumë ambientin.
Pas kalimit të Haland te Mançester Siti, e ka radhën kalimi i francezit te Reali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




