Gazeta Si – Zhvillime të shpejta te Vllaznia. Mirel Josa është emëruar zyrtarisht trajner i ri i kësaj skuadre. Është një rikthim në fakt, pasi trajneri i njohur kryeqytetas ka punuar në Shkodër edhe vite më parë.
Mbrëmjen e sotme klubi shkodran ka publikuar lajmin në faqen e vet zyrtare. Josa merr vendin e Elvis Plorit, i cili e drejtoi Vllazninë për disa javë, por pa mundur të arrinte rezultatet e duhura. Humbja e fundit me Tiranën duket se ka qenë fatale për të.

‘Klubi Vllaznia ka vendosur t’i ofrojë gjithë besimin dhe mbështetjen trajnerit të njohur Mirel Josa. I urojmë fat dhe suksese në përmbushjen e objektivave sezonalë në drejtimin e Vllaznisë. Mirë se erdhe MJESHTËR!’ – shkruan klubi verior.
Ky ishte njoftimi i dytë brenda pak minutash, pasi pak më parë ishte zyrtarizuar largimi i Elvis Plorit. Me mirëkuptim, sipas klubit.
Mirel Josa është trajneri i tretë që drejton Vllazninë këtë sezon. Shkodranët e nisën me Tomas Bërdariç, gjermanin e sezonit të kaluar. Ai largua befasisht dhe stoli iu besua Plorit, por kjo lëvizje nuk pati sukses. Tani në stolin kuqeblu kthehet trajneri kryeqytetas.
Përveç Vllaznisë, Josa ka drejtuar edhe disa nga skuadrat kryesore të futbollit shqiptar. Është shpallur kampion me Tiranën dhe Skënderbeun. Me këtë të fundit ka shkuar deri në grupet e Ligës së Europës.
Gjatë sezonit aktual Josa ka drejtuar Laçin. Madje, për shumë kohë me këtë ekip rivalizoi Tiranën për titullin kampion. Po ashtu, kryeqytetasi ka drejtuar edhe Kukësin, Teutën dhe Lushnjën.
Vllaznia i ka vështirësuar jo pak gjërat nga kampionati. Pas humbjes me Tiranën ka zbritur në vend të 5-të. Shpresat më të mëdha për të shkuar në Europë i ka nga Kupa e Shqipërisë, ku në finale Josa do të gjejë Laçin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




