Gazeta Si – Skënder Gega nuk është më trajner i Skënderbeut. Tri javë para fundit të kampionatit ai ka vendosur të largohet nga ekipi korçar, tashmë zyrtarisht në Kategorinë e Parë.
Ish-lojtari i Kombëtares e mori drejtimin e Skënderbeut para disa javësh, pas largimit të Migen Memellit. Gega trentoi ta shpëtonte këtë skuadër nga rënia një kategori më poshtë, por nuk ia doli, ndaj dhe vendosi ta mbyllë aventurën në qytetin e Korçës.

Pasi është përshëndetur me futbollistët, Gega ka bërë një postim në rrjetet sociale për largimin e tij. “Prej disa javësh pata privilegjin dhe kënaqësinë të isha pjesë e Skënderbeut. Dua të falenderoj të gjithë për mbështetjen dhe respektin.
Nuk ia dolëm dot për disa arsye, por jam i sigurt se ky qytet dhe ky klub meriton vendin që i takon dhe patjetër që do kthehet edhe më i fortë. Faleminderit të gjithëve!” – shkruan trajneri Gega.
Përveç Skënderbeut, Gega ka drejtuar në Superiore edhe Partizanin, me të cilin u shpall kampion pak sezone më parë. Po ashtu, ai ka drejtuar për pak kohë edhe Kukësin. Tani mbyll edhe aventurën e tretë si trajner në futbollin elitar shqiptar.
Gega sot mori edhe një gjobë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, për shkak të një debati që kishte pasur me arbitrin Enea Jorgji pas ndeshjes me Dinamon. Një debat që u konsiderua si denigrues ndaj arbitrit nga Komisioni i Disiplinës.
Gjatë tri javëve të fundit të kampionatit Skënderbeu pritet të drejtohet nga ndihmëstrajneri Gentian Liçi. Ai ka punuar me të dy trajnerët e këtij sezoni. Migen Memellin dhe Skënder Gegën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




