Kreu i SPAK, Arben Kraja raportoi të enjten në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Gjatë raportimit, Kraja është pyetur nëse ndihet nën presion nga politika.
Kjo pyetje vjen pas deklaratave të njëpasnjëshme të kryeministrit Edi Rama jo vetëm në mbledhjen e fundjavës së Asamblesë Kombëtare, por edhe në konferencën për shtyp që mbajti me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.
Politika ka ngritur retorikën për anshmëri, a ndiheni të presionuar? SPAK dhe BKH nuk janë në sinkron, çfarë nuk shkon? Ishte pyetja e drejtuar Krajës.
“Të gjithë prokurorët e hetuesit janë të ndërgjegjshëm kë hetojmë, e dimë që do ketë opinione të ndryshme, presione.
E rëndësishme për ne është të jemi korrekt me ligjin, të vlerësojmë provat.
Këto u kam thënë edhe prokurorëve, të vijojnë punët me provat, nuk është problem shqetësues për ne. Në lidhje me pyetjen e dytë, unë mendoj se ne punojmë në koherencë me BKH. Oficerët janë të rinj, por po mësojnë…”, u përgjigj ai.
LEXO EDHE:
– Rama i radhiti dosjet për SPAK, Berisha i përgjigjet njësoj: Përgjegjës për inceneratorët, Butrintin dhe vdekjet në Thumanë. E ftoj në debat
– Rama sërish për SPAK: Të kërkosh të bëjë më shumë, s’është presion. Të hetojë Gërdecin, 21 janarin dhe skandalet e mëdha
– SPAK: Nuk po hetojmë as Berishën dhe as Metën
Ai shtoi se një problem me të cilët po përballen prokurorët e SPAK është mungesa e eksperiencës së oficerëve të BKH-së.
“BKH është trup e pavarur në funksion të SPAK. Ideja është për një institucion të përbashkët që bën një produkt.
Hap pas hapi jemi munduar ta konsolidojmë. Te zgjedhja e personelit na është dashur shumë punë, energji. Janë me vullnet të jashtëzakonshëm për të punuar.
Nga ana profesionale akoma nuk janë aty ku do të donim, pasi vijnë nga fusha të tjera.
Por me rëndësi për mua është që kanë vullnetin, do shtohet numri i tyre, trajnimet, mbështetja e prokurorëve. Kemi problem ambientet, por numri i madh në organik e bën të pamundur qëndrimin. Presim të marrim një objekt diku aty afër për të sistemuar të gjithë. Kemi ngritur një komision mbikëqyrës për BKH”, tha ai.
Kreu i Prokurorisë të Posaçme Arben Kraja, është shprehur gjithashtu se Prokuroria Speciale ka sekuestruar 70 milionë euro asete të grupeve kriminale.
“SPAK nuk ka nisur asnjë hetim për shpërdorim detyre, nëse ju më thoni një rast unë jap dorëheqjen. Kemi sekuestruar 70 milionë euro nga asete kriminale”, ka thënë Kraja.
Ai është pyetur dhe për mandatin në krye të SPAK, i cili përfundon në dhjetor 2022.
Pas mbledhjes, Kraja tha për mediat se SPAK nuk ndihet i intimiduar.
‘Sot ishte një mbledhje për punën që është kryer gjatë 2021. Nuk kam asnjë koment. Jo nuk ndihemi të intimiduar po punojmë normalisht, të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët. Në vazhdojmë punën tonë”
Kryeministri Edi Rama tha dy dite me pare se askush nuk ia heq dot të drejtën për të dhënë mendimin e tij “për punët e drejtësisë së re”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




