Futboll

Kovacs drejton në Tiranë, caktohen arbitrat e 4 finaleve

Gazeta Si – Do të jetë rumuni Istvan Kovacs ai që do të vendosë drejtësi në Tiranë. Ai do të drejtojë finalen e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Fejnordit, më 25 maj, në “Air Albania”.

Kovacs, 37 vjeç, është një nga arbitrat që ka drejtuar më shumë ndeshje ndërkombëtare gjatë këtij sezoni. Ai ka drejtuar 10 ndeshje në Kupat e Europës, ku spikat gjysmëfinalja e parë e Championsit mes Real Madridit dhe Mançester Sitit.

Kovacs gjatë një ndeshje mes Realit dhe Sitit. Gazeta Si, 12 maj 2022

Siç ndodh shpesh kur caktohet një arbitër rumun, skuadra arbitrale do të jetë mikse. Asistentë të Kovacs do të jenë patriotët e tij Marinescu dhe Artene, arbitër i 4-t zvicerani Scharer, ndërsa sallën e VAR-it do të jenë gjermanët Fritz, Dingert dhe Dankert.

Kovacs ka fituar konkurrencën me anglezin Anthony Taylor, i cili dukej më i favorizuar për të drejtuar finalen e Tiranës. Rumini i ka arbitruar 7 herë klubet italiane dhe dy herë Romën.

Precedentët janë pozitivë, Roma ka fituar në të dy rastet. Bëhet fjalë për një sfidë në Ligën e Europës, 0-2 ndaj Bragës, si dhe një në Ligën e Konferencës, 4-0 ndaj Zorya Luhansk.

Janë përcaktuar ndërkohë edhe abitrat e finaleve të tjera. Real Madrid-Liverpul në Champions do të gjykohet nga francezi Clement Turpin. Lina Lehtovara do të drejtojë finalen e Ligës së kampionëve në futboll për femra.

Finalja e Ligës së Europës Eintraht-Rejxhërs i është besuar sllovenit Vinçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë