Gazeta Si – Vandalizmat e tifozëve pas derbit me Tiranën në Elbasan i kushtojnë Partizanit 4 ndeshje me dyer të mbyllura. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF e ka dënuar klubin e kuq me 4 ndeshje pa tifozë.
Partizani dhe Tirana, po për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve, janë gjobitur nga Disiplina. Partizani në masën 100 mijë lekë, kurse Tirana në masën 200 mijë lekë. Të dy klubet kanë 15 ditë kohë për të shlyer gjobat.

Disiplina ka dhënë dënime edhe për individë të veçantë, ku sërish bën pjesë Partizani. Drejtori i përgjithshëm i tij, Olsi Rama, është gjobitur me 50 mijë lekë. Me të njëjtën shifër është gjobitur edhe trajneri i Skënderbeut, Skënder Gega. Për të dy arsyeja e gjobës ka të bëjë me denigrimin e figurës së zyrtarëve të ndeshjeve.
Dënime të shumta ka pasur edhe për drejtues dhe lojtarë të skuadrave të kategorive të ulëta.
Vendimet kryesore të Disiplinës dhe Etikës
Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive, pajisjeve sportive dhe duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të lojës, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë.
Vendoset pezullimi i pjesshëm i zbatimit të dënimit pas shlyerjes së gjysmës së tij. KDS, do të jetë 6 (gjashtë) muaj. Partizani urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Elbasan Arena” brenda 15 ditëve.
Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dëmtimin e mjediseve sportive, pajisjeve sportive, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë. Tirana urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Elbasan Arena” brenda 15 ditëve.
Zyrtari i Partizanit, Olsi Rama, për përhapjen e deklaratave denigruese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
Zyrtari i Skënderbeut, Skënder Gega, për përhapjen e deklaratave denigruese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë. Lojtari i Vllaznisë, Kristi Qarri, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




