Gazeta Si – Gola, emocione dhe dy përmbysje në ‘Olimpico’. Pas 2-2 të 90 minutave të kohës së rregullt, Perisiç ka shënuar golat që i kanë dhënë Interit fitoren 2-4 dhe trofeun e Kupës së Italisë. Juventusi dështon edhe në këtë kompeticion, kurse për Interin është hera e 8-të që e fiton Kupën e Italisë.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për Interin. Juventusi u shtang nga një supergol i Barelës vetëm pas 7 minutash lojë. Mesfushori goditi fuqishëm nga jashtë zonës dhe tundi rrjetën e portës bardhezi.
Vlahoviç iu afrua më pas golit të barazimit, por u ndal nga Handanoviç. Trajneri Masimiliano Alegri hodhi në fushë Moratën në fund të pjesës së parë, në vend të Danilos. Juventusi shpërtheu në fillim të pjesës së dytë, duke realizuar dy gola me Aleks Sandro dhe Vlahoviç.
Në golin e barazimit pati faj edhe portieri Handanoviç, i cili nuk mundi të ndalte goditjen e brazilinit. Goli i dytë erdhi pas një kundërsulmi të shpejtë, të finalizuar nga sulmuesi serb pas dy tentativash.
Pas këtij momenti, trajneri Simone Inzagi ndërhyri nga stoli dhe bëri tre ndërrime menjëherë. Ai hodhi në fushë Korrean, Dimarkon dhe holandezin Dumfris. Interi shtoi presionin dhe Juventusi nuk mundi ta ruante rezultatin deri në fund.
Bonuçi, i aktivizuar si zëvendësues në këtë ndeshje, shkaktoi një penallti, që u konfirmua edhe nga VAR-i. Çalhanoglu nuk gaboi nga pika e bardhë, duke barazuar shifrat në 2-2. Ndeshja shkoi me shtesë, ku fati i buzëqeshi Interit. Juventusi u ndëshkua me dy gola të tjerë.
Ivan Perisiç riktheu Interin në avantazh me një tjetër penallti, që u ekzekutua prej tij, pasi Çalhanoglu kishte dalë nga fusha. Kroati shënoi edhe golin e katërt pak minuta më pas, duke bërë që Juventusi të dorëzohet përfundimisht.
Trajneri Alegri në këtë moment u ndëshkua me karton të kuq, pasi nuk i përmbajti dot nervat dhe u konfrontua me stolin e Interit. Juventusi i tij ka humbur shansin më të mirë për të fituar një trofe këtë sezon. Klubi bardhezi del pa trofe, hera e fundit që i ka ndodhur ishte para 10 vitesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




