“Ne nuk kemi iluzione rreth asaj që Putin dëshiron të arrijë në Ukrainë. Mund të shihni disa ngjashmëri si po vepron Rusia në Ukrainë me veprimet e Serbisë në rajonin tonë”. Kështu ka thënë Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla në Jerusalem. Ajo e cila i kërkuar Izrealit të shfrytëzojë ndikimin për ta “neutralizuar situatën”.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund ta shtyjë Serbinë për veprim ushtarak ndaj Kosovës, citohet t’i ketë thënë kryediplomatja Donika Gërvalla mediumit izraelit, The Jerusalem Post.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, në vizitën e saj në Izreal, u ka kërkuar zyrtarëve të këtij shteti që të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për neutralizim të situatës.
“Shtetet si Izraeli mund të ndihmojnë në stabilizimin e rajonit [Ballkanit]”, ka thënë Gërvalla.
Kryediplomatja kosovare ka shprehur shqetësimin se Ballkani mund të jetë rajoni, ku mund të ketë tensione.
The Jerusalem Post shkruan se vizita e Gërvalles është e nivelit më të lartë, prej kur dy vendet vunë lidhjet zyrtare në vitin 2020, që, me ndërmjetësimin e ish-Presidentit amerikan Donald Trump, Izraeli e njohu Kosovën si shtet të pavarur.
“Është njohje shumë e veçantë për shtetin tonë”, ka thënë Gërvalla për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtetin e Izraelit, duke përmendur raportet miqësore të moçme mes Kosovës dhe hebrenjve.
“Komuniteti hebre e di mirë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta”, citohet të ketë thënë Kryediplomatja kosovare.
Në një pjesë të madhe të intervistës, ajo ka folur për luftën në Ukrainë dhe agresionin rus ndaj popullit dhe shtetit ukrainas. Veprimet e Rusisë, Gërvalla i krahason me ato të Serbisë.
“Serbia nuk mund të ulet më në dy karrige. Deri tani, Serbia ka mundur që të marrë para nga Bashkimi Europian dhe me paratë e BE-së, të blejë armë ruse, por kjo nuk është e mundur më”, ka thënë Gërvalla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




