Futboll

Haland zyrtarisht te Siti, 5 vjet kontratë me 30 mln euro në vit

Gazeta Si – Merr fund telenovela ‘Haland’. Sulmuesi norvegjez është tashmë zyrtyarisht një lojtar i ri i Mançester Sitit. Lajmi është bërë i ditur nga klubi anglez, me anë të kanaleve të veta zyrtare në rrjetet sociale.

“Është gjetur akordi me Borusia Dortmund për Haland”, – shkruhet në njoftimin e Mançester Sitit. Sulmuesi ka kaluar testet mjekësore në Mançester dhe është nisur menjëherë për në Gjermani, për të mbyllur sezonin me Borusia Dortmund.

Siti do të derdhë në arkat e klubit gjerman shumën e 75 milionë eurove, pasi kjo është shifra e klauzolës për prishjen e parakohshme të kontratës së Haland. Pasi nuk ia doli të blinte Herri Kejn verën e kaluar, trajneri Guardiola tani do të ketë një sulmues të fortë qendre.

Nga kontrata e re me Mançester Sitin, Haland do të përfitojë 30 milionë euro në vit. Ai ka firmosur për klubin anglez për 5 vitet e ardhshme. Shifra vërtet të një ‘top player’-i. Bie poshtë kështu pista e transferimit të norvegjezit te Real Madrid.

Në Dortmund ndërkohë kanë nisur punën për të gjetur një zëvendësues për Haland. Ai pritet të jetë Karim Adejemi, një sulmues i datëlindjes 2002. Këtë sezon ai ka shënuar 19 gola në 22 ndeshje me Salcburgun në kampionatin austriak. Adejemi ka shënuar edhe 3 gola në Ligën e Kampionëve.

Tani zërat e merkatos do të kalojnë te Kilian Mbape. Francezi pritet të kalojë te Real Madrid, por kohët e fundit ka pasur të tjera përpjekje nga PSG për ta bindur të qëndrojë. Megjithatë, vështirë që Reali të rrijë pa marrë një lojtar klasi për sezonin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë