Drejtësia

Vrau fqinjin me thikë pas sherrit në lokal, 37-vjeçari pendohet dhe lihet në burg  

Gazeta Si – Olgert Dhimitri këmbëngul se nuk kujton asgjë para dhe gjatë konfliktit që la të vdekur fqinjin e tij, Ilir Kapo.

37-vjeçari vrau me thikë 60-vjeçarin pas një sherri të nisur në lokal në Tiranë dhe për këtë gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”.

“Nuk mbaj mend asgjë, më vjen shumë keq për atë që ka ndodhur, jam i penduar”.

Kështu është justifikuar para togave të zeza i riu, i cili u arrestua pak orë pas vrasjes ë ndodhur pranë shkollës “Harry Fultz”.

Ilir Kapo u sulmua për vdekje nga 37-vjeçari pas një sherri verbal, që degradoi në përplasje fizike duke bërë që autori të nxirrte thikën e të sulmonte për vdekje.

Pas arrestimit të tij nga policia, Olgert Dhimitri fillimisht nuk ka qenë në gjendje që të japë dëshminë e tij për shkak të efektit të alkoolit.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë treguar se viktima me autorin njiheshin me njeri- tjetrin pasi ishin banorë të së njëjtës lagje.

Ata kanë debatuar mes tyre në lokal, në një kohë që të dy kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë