Gazeta Si – Alfred Prodani duhet të qëndrojë 40 ditë në burg para ekstradimit në Spanjë, ku kërkohet për vjedhje prej vitit 2013.
Gjykata e Kurbinit, vendosi masën e sigurisë për Drejtorin e Ujësjellësit të këtij qyteti, duke lejuar autoritetet që brenda kësaj kohe të bëjnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Spanjës.
Gjyqtari Aurel Arapi, pranoi kërkesën e prokurorit Arben Nika dhe e cilësoi të ligjshëm ndalimin e 41-vjeçarit.
Sipas mandat-arrestit të lëshuar në vitin 2013 nga Gjykata e La Korunjës, zyrtari i administratës shtetërore, rezulton i shpallur në kërkim, kohë kur nuk kishte marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe nuk është paraqitur asnjë proces që e përfshin Prodanin për veprën penale që akuzohet.
Ai dyshohet se ka marrë pjesë në disa vjedhje me dhunë të banesave në Spanjë, në të paktën 40 raste.
Sipas ish-kryeministri Sali Berisha, në shënjestër të grabitjeve të tij, kishte përfunduar edhe shtëpia e sulmuesit francez të Real Madridit, Karim Benzema.
Mediat spanjolle lidhur me ngjarjen nuk kanë publikuar detaje, por dyshohet se në këtë ngjarje janë të përfshirë shtetas nga Shqipëria.
Alfred Prodani ishte në kërkim nga autoritetet spanjolle që prej vitit 2013, ndërsa në vendin tonë ai ishte drejtor i Ujësjellësit të Kurbinit prej 9 vitesh si përfaqësues i Partisë Socialiste.
Urdhër-arresti ndërkombëtar për vjedhjen e dhjetëra vilave në Spanjë, nuk e pengoi 41-vjeçarin të ulej në zyrat shtetërore dhe të mbante prej vitesh detyrën e drejtorit.
Prej disa ditësh, për llogari të Spanjës, janë arrestuar në Shqipëri 7 persona, të dyshuar për trafik droge dhe vjedhje falë dhe një marrëveshjeje ekstradimi mes dy vendeve që hyri në fuqi prej 16 marsit.
Mes tyre spikat edhe biznesmeni i pllakave dhe hidrosanitareve Nikolin Janina, i akuzuar si kreu i një grupi kriminal që merrej me trafikun e drogave të forta prej vitit 2015.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




