Drejtësia

Kërkoi favore seksuale, shkarkohet nga detyra gjyqtari i Gjirokastrës, Guximtar Boçi

Gazeta Si – Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjirokastrës, Guximtar Boçi.

Në vitin 2016, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e shkarkoi Boçin nga detyra e kryetarit të Gjykatës dhe e pezulloi si gjyqtar pas publikimit të një audioje në një emision investigativ, ku ai akuzohej se kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor.

Ai i kërkonte favore seksuale një gruaje 40-vjeçare në këmbim të vendosjes së drejtësisë për një çështje pronësie që gruaja kishte në gjykatë.

Nga bisedat e regjistruara, ish-kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë i thotë qytetares se çështjen e kishte të fituar, pasi “jo se të bëj unë nder, por se të takon”.

Gjatë bisedës, gruaja i thotë se gjatë takimit në kafe, gjyqtari i kishte kërkuar që “dua të bëhesh e imja”.

Gjatë përballjes me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në seancën dëgjimore, ai dha shpjegime  për audio-regjistrimin dhe për një apartament në Tiranë në pronësi të bashkëshortes, pasuri për të cilën ajo deklaron se zotëron ½-ën të trashëguar nga babai i saj i  ndjerë.

KPK konstaton pamundësi financiare të gjyqtarit Boçi për ndërtimin e një shtëpie me sipërfaqe 121 m2 në një fshat të Gjirokastrës. Në vitin 2003, subjekti ka deklaruar se për ndërtimin e banesës janë shpenzuar 1.5 milionë lekë, por nga analiza financiare paraprake ka rezultuar balancë negative në shumën 1.3 milionë lekë.

Në vijim u konstatua se Boçi ka përfituar një tjetër shesh ndërtimi me sipërfaqe 400 m2 në Gjirokastër, ndërkohë që e zotëronte një.

Gjyqtari Boçi e kundërshtoi analizën e Komisionit për këtë pasuri. Ai deklaroi se trualli ishte përfituar me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave dhe theksoi se nuk i ishte konsideruar në analizë kthimi i një huaje.

Guximtar Boçi e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si gjyqtar dhe kryetar gjykate në Gjirokastër.

Në vitin 2017, prokuroria e pushoi procedimin penal ndaj Boçit dhe një vit më vonë ai fitoi pafajësinë me vendim të Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Boçi ka kërkuar prej asaj kohe rikthimin në sistemin gjyqësor, por Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka rrëzuar kërkesat e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë