Futboll

Video/ Endri Çekiçi, gol mjeshtëror në Turqi me goditje dënimi

Gazeta Si – Një gol ‘alla Kristiano Ronaldo’ ka shënuar sot mesfushori Endri Çekiçi. Futbollisti i Kombëtares ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi në ndeshjen mes Antaliasporit dhe Koniasporit, që u fitua 3-2 nga ekipi vendës.

Çekici goditi bukur me të djathtën dhe topi mori një trajektore të pakapshme për portierin kundërshtar. Ishte një gol që i dha Koniasporit avantazhin e përkohshëm 1-2. Më pas Antaliaspori përmbysi rezultatin dhe e fitoi ndeshjen.

Pogradecari e nisi këtë ndeshje si titullar dhe arriti të linte shenjën e tij. Çekiçi u ndërrua 2 minuta para fundit të ndeshjes, ndërsa sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, u aktivizua në pjesën e dytë.

Për Koniasporin, që mban vendin e tretë, me 64 pikë, ishte humbja e dytë radhazi. Për momentin, Çekiçi është në një formë shumë të mirë dhe ka besimin e trajnerit për të luajtur në formacion. Ai ka shënuar 9 gola për Koniasporin këtë sezon.

Çekiçi dhe Cikalleshi do të luajnë në Kupat e Europës me këtë skuadër. Por më parë ata do të tentojnë të bëjnë diçka të bukur edhe me Kombëtaren e Shqipërisë, në ndeshjet me Izraelin dhe Islandën në Ligën e Kombeve. Këto dy ndeshje luhen në muajin qershor dhe kuqezinjtë shpresojnë për rezultate pozitive.

Përveç Çekiçit, në ndeshjet e fundit kanë shënuar me klubet e tyre edhe sulmuesi Myrto Uzuni në Spanjë dhe Berat mbrojtësi Gjimshiti në Itali. Si Granada, ashtu edhe Atalanta, i fituan ndeshjet e kampionatit. Gjendja e futbollistëve të Kombëtares është përgjithësisht e mirë dhe trajneri Reja mund të rrijë i qetë. Nga forma e tij ka humbur diçka sulmuesi Armando Broja, i cili nuk shënon prej disa javësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë