Gazeta Si – Milani është shumë pranë titullit kampion, i duhen edhe 4 pikë në dy ndeshjet e fundit me Atalantën dhe Sasuolon. Ambienti kuqezi mezi po pret sprintin final për të nisur festën e madhe.
“Komplimente djemve, bënë atë që u ishte kërkuar të bënin, edhe ata që u futën në fushë si zëvendësues”. Kjo është përmbledhja perfekte e fitores që Milani arriti në Verona. Fotografia e ndeshjes, sipas Paolo Maldinit, i cili në “Bentegodi” përjetoi jo pak tension në tribunë me Masarën dhe Gazidis.
Ishte një nga paraqitjet më të mira të skuadrës së Piolit për këtë sezon. Në ato 90 minuta Milani tregoi pse është në krye të renditjes: lojë e mirë, mendje e kthjellët dhe shumë zemër, mbi të gjitha zemër.

Ishte forca e grupit. Milani dominoi 30 minutat e para dhe diti të reagonte menjëherë pas golit të pësuar. Një sinjal shumë i mirë, por për këtë kishte pak dyshime. Milani tregoi gjithashtu pjekuri të jashtëzakonshme, e administroi mjaft mirë presionin e madh dhe tani po ecën drejt një ëndrre.
Ëndërr që quhet titull dhe për të ngritur lart trofeun mungojnë vetëm 4 pikë ndaj Atalantës dhe Sasuolos. Të dielën në “San Siro” atmosfera do të jetë drithëruese. Stadiumi do të jetë i mbushur për të shtyrë Tonali me shokë drejt titullit.
Me një fitore të mundshme, Milani më pas do të ulet komod në divan për të ndjekur Interin në Kaljari. Në rast barazimi ose humbjeje të rivalit, Milani do të shpallej matematikisht kampion i Italisë një javë para mbylljes së kampionatit. Në rast të kundërt, gjithçka do të shtyhej për javën e fundit.
Në këtë rast Milani shkon në shtëpinë e Sasuolon, kurse Interi pret Sampdorian. Ndeshjet do të luhen në të njëjtën kohë javën e fundit të kampionatit, por populli kuqezi dëshiron që të festojë që të dielën e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




