Gazeta Si – Milani mund 1-3 Veronën dhe kalon sërish në klasifikim Interin (80 pikë ndaj 78), kur kanë mbetur edhe 180 minuta nga fundi i kampionatit. Tani kuqezinjve të Stefano Piolit u duhen edhe 4 pikë në ndeshjet me Atalantën dhe Sasuolon për të siguruar titullin kampion në Serinë A.
Protagonistë të fitores në Verona ishin Tonali dhe Leao. Mesfushori ka festuar 22-vjetorin e lindjes me një dopietë shumë të rëndësishme, gjithmonë falë asisteve të portugezit. Faraoni krijoi pak frikë te Milani me golin e avantazhit, por ishte vetëm një moment.
Sandro Tonali po bën ‘provat’ për të marrë rolin e liderit të ri të Milanit. Mesfushori i ka të gjitha ‘kartat’ në rregull. Edhe mbrëmjen e sotme ai u shfaq vërtet një lider, duke shënuar dy golat e përmbysjes për Milanin, ndërkohë që iu anulua edhe një gol kur rezultati ishte 0-0.
Pas golit të Faraonit, Tonali barazoi në shtesën e pjesës së parë dhe pastaj pak minuta pas nisjes së pjesës së dytë. Në të dy rastet u shërbye nga Rafael Leao, një nga më të mirët për Milanin. Florenci mbylli llogaritë me golin e tretë vetëm 3 minuta pasi ishte futur në fushë. Milani kalon me sukses një transfertë shumë të vështirë dhe tani titulli është edhe më pranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




