Gazeta Si – Një kompani e drejtuar nga Todd Boehly, bashkëpronar i skuadrës së Los Angeles Dodgers, ka vendosur të investojë 4.25 miliardë stërlina (4.9 miliardë euro) për Çelsin. Lajmin për këtë ofertë zyrtare e ka konfirmuar vetë klubi londinez, që i jep fund kështu erës Abramovich.
“Shitja e klubit, – shpjegohet në njoftim, – do të zyrtarizohet në fund të majit, në pritje të të gjitha autorizimeve të nevojshme për këtë proces”.

Sipas ‘Financial Times’, blerja më e madhe e një klubi futbolli në histori pret ende bekimin e Premier Ligës dhe qeverisë, por miratimi duket një formalitet, sepse kompania e drejtuar nga Boehly e ka marrë aprovimin. Shuma prej 4.25 miliardë stërlinash përfshin koston e blerjes së Çelsit dhe investime të tjera në klubin londinez.
Për të mbrojtur financat e Çelsit, akordi përfshin edhe disa masa ndaj komisioneve të administrimit, pagesës së dividendit dhe borxhit. Ky akord vjen pak kohë pasi oligarku rus, Roman Abramovich, u sanksionua nga qeveria britanike dhe u detyrua ta nxjerrë në shitje klubin, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë. Qeveria britanike e ka përfshirë rusin në listën e sanksioneve, për shkak të afërsisë me Vladimir Putin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




