Futboll

Video/ Roma e Kumbullës vjen në Tiranë, në finale ndaj Fejnordit më 25 maj

Gazeta Si – Ka mjaftuar një gol i sulmuesit Tami Abraham vetëm pas 11 minutash lojë, që Roma e Marash Kumbullës të mundë Leiçesterin dhe të kualifikohet për në finale të Ligës së Konferencës, që luhet më 25 maj në “Air Albania”. Tifozët shqiptarë dëshironin që Roma të ishte një nga finalistet dhe kështu ka ndodhur.

Skuadra e Zhoze Mourinjos eliminoi anglezët e Leiçesterit, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Angli, dhe fitores së sotme në “Olimpico”, me rezultatin e ngushtë 1-0. Trajneri portugez kishte kërkuar ndihmën e tifozëve dhe ata e bënë mësë miri punën e tyre, duke mbushur stadiumin. Të shumtë tifozët e Romës pritet të jenë edhe më 25 maj në “Air Albania”. Kumbulla qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në stol.

Trofeun e edicionit të parë në historinë e Ligës së Konferencës Roma do të diskutojë me holandezët e Fejnordit, që eliminuan Olimpikun e Marsejës. Fejnordi fitoi ndeshjen e parë në shtëpi 3-2, ndërsa sot rezistoi në Francë dhe siguroi kualifikimin pas barazimit 0-0. Ekipi holandez ka një përvojë të konsiderueshme në Kupat e Europës dhe për Romën nuk do të jetë e lehtë finalja, pavarësisht se në letër mund të jetë favorite.

Liga e Europës
Janë përcaktuar sot edhe dy finalistët e Ligës së Europës, që janë Eintraht Frankfurt dhe Gllasgou Rejnxhërs. Gjermanët eliminuan Uest Hemin, duke i fituar të dyja ndeshjet, 1-2 në Amgli dhe sot 1-0 në fushën e tyre. Para kësaj ndeshjeje pati edhe përplasje mes tifozëve ultras. Lajcigu u eliminua nga Gllasgou Rejnxhërs, që përmbysi humbjen 1-0 të ndeshjes së parë, duke fituar 3-1 sot në Skoci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë