Kosova

Lajçak ul në darkë joformale Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, priti të mërkurën mbrëma, në një darkë joformale, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Takimi u realizua në Berlin, ku Kurti dhe Vuçiç takuan të mërkurën edhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

“Mirëpresim mundësinë për diskutime rreth dialogut, në një darkë joformale, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, në Berlin. Faleminderit Qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”, shkroi Lajçak në Twitter.

Kurti dhe Vuçiç nuk janë takuar në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve qysh në korrik të vitit të kaluar.

Nga kancelari Scholz, ata u pritën në takime të ndara.

Pas takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është i një rëndësie “të madhe” për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ashtu si dhe për integrimin evropian të të dyja vendeve.

Duke folur pas takimit me Kurtin, Scholz tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë