Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm dhe se më sukses në të, iu hapet të dyja vendeve perspektiva drejt Bashkimit Evropian.
Ai deklaroi të enjten, pasi e priti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se e ka inkurajuar atë t’i vazhdojë bisedimet me Serbinë.
“Në marrëveshje të përfitojnë njerëzit e Ballkanit Perëndimor. Parakusht i rëndësishëm për vende pune është stabiliteti dhe besimi në një paqe të ardhme të rajonit. Ne folëm edhe për marrëdhëniet tona dypalëshe. Jemi të lidhur mes njëri-tjetrit, mes tjerash edhe me 400 mijë qytetarë në Gjermani me rrënjë kosovare”, deklaroi Scholz.
Ai theksoi se Gjermania është investitorja më e madhe në Kosovë, derisa e përmendi edhe procesin e liberalizimit të vizave.
“Rëndësi të madh ka luftimi i krimit dhe korrupsionit. Përparimet nuk arrihen brenda natës, por janë me rëndësi të madhe. Ne jemi të gatshëm ta përkrahim Kosovën për këtë. Përparimi duhet të bëhet edhe në liberalizimin e vizave. Për këtë angazhohem në Bashkimin Evropian me këmbëngulje”, deklaroi tutje kancelari gjerman.
Ai përmendi edhe një vizitë në Kosovë në të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




