Gazeta Si – Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të presë në takime të ndara në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Më pas, dy liderët ballkanikë, Kurti-Vuçiç, pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak.
Më tej, kancelari gjerman do të takohet me presidentin serb.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se takimet, mes tjerash, “do të shërbejnë për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga BE-ja”.
Takimi i të mërkurës është i pari midis Kurtit dhe Vuçiçit që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Në Bruksel ka pasur disa përpjekje për të aranzhuar një takim të ri midis tyre, por deri më tani pa sukses.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar më herët se nuk do t’i ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pa pasur tregues të qartë se në një takim të tillë do të arrihej përparim konkret.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




