Gazeta Si – Për të dytën herë radhazi Kukësi dështon të fitojë në stadiumin e ri ‘Kukës Arena’. Pas barazimit me Laçin, sot është mundur nga Partizani rival 1-2 dhe rrezikon shumë të mbetet jashtë Kupave të Europës. Vendimtar për të kuqtë ishte sulmuesi Stenio Xhunior, autor i të dy golave. Tani Partizani është në vend të tretë, 3 pikë para Kukësit (49-46).
Pjesa e parë ishte mjaft e tensionuar dhe arbitri Eldorjan Hamiti u detyrua të ndëshkonte plot 8 lojtarë me karton të verdhë, nga 4 për secilën skuadër.

Braziliani Stenio Xhunior realizoi me kokë golin e parë, pasi më parë kishte goditur shtyllën. Ai realizoi edhe golin e dytë 5 minuta para fundit të kësaj pjese, gati në mënyrë identike me të parin. Një tjetër shtyllë për Partizanin goditi Skuka, ndërsa Kukësi bëri shumë pak gjatë 45 minutave të para. Në një moment pati pretendime për penallti nga Kukësi, por arbitri dha faull jashtë zone edhe pas konsultimit me VAR-in.
Në pjesën e dytë Kukësi shkurtoi shpejt diferencën me Milunoviç, duke rihapur ndeshjen. Sërish raste më të mira pati Partizani, që nuk mundi t’i shfrytëzonte. Ndeshja u ndërpre për pak minuta, pasi tifozët e Kukësit hodhën shishe plastike në fushë dhe duhej që kapiteni Taipi t’i qetësonte për të lejuar vazhdimin e lojës.

Tensioni nuk mungoi as në momentet e fundit, kur u dhanë tre kartonë të kuq, dy për Partizanin dhe një për Kukësin. Tifozët vendës u futën sërish në fushë pas mbylljes së ndeshjes. Të kuqtë morën atë që deshën dhe tani e kanë në dorën e tyre fatin e Europës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




