Drejtësia

Ekstradohet nga Gjermania Genc Tafili, i dënuar për vrasjen komisarit Arben Zylyftari

Gazeta Si – Genc Tafili është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në maj të vitit 2021, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi kthimin në burg ndaj tij për të vuajtur dënimin e mbetur prej 6 vitesh për vrasjen e komisarit të policisë në Shkodër, Arben Zylyftarit.

43-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Lartë, në vitin 2002 me 25 vjet burgim dhe pasi ka vuajtur një pjesë të dënimit, Gjykata e Rrethit Krujë, në vitin 2017  ka vendosur ta lirojë me kusht.

Tafili u arrestua në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe po tentonte të shkonte drejt Stambollit.

LEXO EDHE:
– Misteret e vrasjes së Arben Zylyftarit ndjekin edhe pas 21 vitesh
– Arrestohet në Gjermani Genc Tafili, i dënuar për vrasjen e komisarit Arben Zylyftari

Arrestimi i Tafilit u krye nga autoritet e policisë kufitare Gjermane, pasi rezultoi se emri i tij, ishte në sistem i selektuar me ngjyrë të kuqe, për shkak të një mandat arresti ndërkombëtar të nxjerrë nga Prokuroria e Krujës.

Së bashku me të vëllanë, Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm, ai akuzohet për vrasjen e kryepolicit të Shkodrës.

Pak kohë më parë, SPAK rihapi hetimet për këtë çështje, ku Arben Zylyftari mbeti i vrarë në vitin 2000 gjatë shkëmbimit të zjarrit në një operacion policor.

Tafili u lirua nga qelia me vendim të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha në 7 nëntor të vitit 2017, pas 17 vitesh në qeli për vrasjen e Zylyftarit.

Ai la burgun kur i kishin mbetur edhe tetë vite pa kryer nga dënimi. Pas lirimit, ai u largua nga Shqipëria.

Por, në maj 2021, Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, duke kërkuar rikthimin e tij në burg.

Hoxha ndodhet pas hekurave me urdhër të SPAK, me akuzën e përfshirjes në korrupsion për lirimin e të dënuarve pa përmbushur dënimin.

Arben Zylyftari u vra më 2 gusht të vitit 2000, kur Policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit, një peshkatar i zonës, i cili ishte një ndër personat më të kërkuar në atë kohë për vrasjen e Skënder Gecit.

Gjatë operacionit, pati shkëmbim zjarri mes palëve. Për pasojë, mbeti i vrarë Drejtori i Policisë, Arben Zylyftari, si dhe vetë i kërkuari Bahri Tafili.

Po atë ditë kur u vra Arben Zylyftari, policia arrestoi Genc Tafilin, duke e akuzuar për vrasje në bashkëpunim.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur para 22 vjetësh, familja e Bahri Tafilit akuzoi ish-shefin e Krimeve në atë kohë, Prelë Pjetrushin, se kishte organizuar edhe operacionin për kapjen e të kërkuarit.

Familja Tafili ka pretenduar se komisari Arben Zylyftari u vra nga dora e Prelë Pjetrushit dhe jo nga armët e Tafilajve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë