Futboll

Finale për Europën në ‘Kukës Arena’, Partizani duhet të ruajë vendin e 3-të

Gazeta Si – Java e 32-të e Abissnet Superiores nis sot me ndeshjen më të rëndësishme të saj, Kukësi-Partizani. Në lojë është një vend për në Kupat e Europës dhe kjo ndeshje ka marrë përmasat e një finaleje të vërtetë.

Kukësi dhe Partizani ndodhen në kuotë të barabartë pikësh, nga 46 secili, me të kuqtë të favorizuar nga ndeshjet direkt që i mbajnë në vend të tretë. Kjo sfidë direkt mund të vendosë gjithçka për objektivin e Europës, ndaj dhe presioni është mjaft i madh. Të dyja skuadrat janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë dhe vendi i tretë në kampionat është shpresa e vetme.

Tifozet e Kukesit ne stadium. Gazeta Si, 3 maj 2022

Kukësi ka avantazhin e të luajturit në fushën e tij, ku tifozët pritet të jenë të shumtë. Skuadra e Longos vjen nga humbja e thellë në Durrës, kurse Partizani pas fitores në derbin me Dinamon. Të kuqve do t’u mjaftonte edhe barazimi për të ruajtur vendin e tretë. Presidenti Gaz Demi ka karikuar ekipin një ditë para ndeshjes dhe i ka dhënë besim trajnerit Dritan Mehmeti.

Kjo javë e Superiores vazhdon të mërkurën me ndeshjet Tirana-Teuta, Egnatia-Laçi dhe Skënderbeu-Kastrioti, për t’u mbyllur të enjten me Dinamo-Vllaznia. Tirana ka nesër shansin e tretë për të fituar matematikisht titullin kampion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë