Oda e Afarizmit të Kosovës ka mirëpritur miratimin e projektligjit për rritjen e pagës minimale në 250 euro, por kërkon që kjo pagë të jetë sektoriale dhe jo e përgjithshme.
Sa i përket aktivitetit ekonomik në vend, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se ka ngecje dhe mungesë të vullnetit qeveritar për përkrahjen e bizneseve në lehtësimin e të bërit biznes, për furnizime dhe investime.
Për mbështetjen e 800,000 qytetarëve me nga 100 euro, Krasniqi vlerësoi se kjo shumë, ndonëse e pamjaftueshme sipas tij, do të ishte e nevojshme të ndahet në formën e kuponave për blerje të prodhimeve vendore.
Sipas tij, në këtë formë do të kontribuohet në mënyrë zinxhirore duke u dhënë përkrahje prodhuesve vendorë.
“Ne duke analizuar edhe veprimet e shteteve të ndryshme, qoftë në rajon apo në Bashkimin Evropian, kemi kërkuar që kjo shumë rreth 100 milionë euro, të mos ndahet në paga apo në pensione te qytetarët, por kjo të bëhet në formë të bonave, meqenëse me këto bona të kenë mundësi qytetarët të blejnë produkte vendore”, ka thënë ai.
Për ta zbutur krizën e shkaktuar nga inflacioni i lartë dhe rritja e çmimeve, Krasniqi ka kërkuar nga qeveria ndryshimin e politikave fiskale.
“Kemi kërkuar nga Qeveria që të ulet TVSH-ja në ushqim, nga 18 për qind në 5 për qind, ndërsa TVSh-ja në produkte esenciale nga 8 për qind të jetë për gjashtë muaj zero, në mënyrë që të ndihmohen bizneset, punëtorët dhe qytetarët që ta kalojnë sa më lehtë këtë krizë”, ka shtuar ai.
Kuvendi të enjten, më 5 maj, do ta shqyrtojë projektligjin për pagën minimale. E krahas rritjes së pagës minimale në 250 euro neto, Krasniqi ka thënë se paga duhet të jetë e kategorizuar në bazë të profesioneve dhe shkollimit.
“Duhet të ketë pagë minimale pa profesion, për punëtorë me shkollë të mesme dhe me shkollë të lartë dhe në këtë mënyrë të bëhet kategorizimi. Por ajo që do të duhej me urgjencë, meqenëse ka rritje të buxhetit të shtetit si rezultat i rritjes së tatimeve dhe rritjes së çmimeve, të diskutohet për sigurimin shëndetësor dhe sigurimin në punë. Kjo do të ishte forma e mbrojtjes së punëtorëve dhe mbrojtja e qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka theksuar se rritja ekonomike mbi 10 për qind në vitin 2021, nuk ka reflektuar në rritjen e punësimit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Teksa shton se mungesa e vullnetit të qeverisë e ka vështirësuar klimën e të bërit biznes.
“Është një shifër që kemi pasur edhe në vitet e kaluara, por që nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në rritje të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, sepse krahas rritjes kemi edhe rritje të inflacionit. Kemi stagnim dhe mosvullnet të Qeverisë dhe Ministrisë së Financave për përkrahje të bizneseve në lehtësimin e të bërit biznese për paga, për furnizime dhe investime. Dhe mungesa e vullnetit të qeverisë e ka vështirësuar klimën e të bërit biznes në Kosovë”, ka thënë ai.
Rritja e çmimeve po i sfidon edhe bizneset në përmbushjen e kontratave me institucionet publike. Sipas Krasniqit, disa biznese kanë filluar të bëjnë edhe padi ndaj institucioneve të shtetit, përkundër kërkesave të vazhdueshme nga Oda e Afarizmit që të rishikohen kontratat për furnizime.
Ai theksoi se bizneset e kanë të pamundur t’i furnizojnë me mallra ushtrinë, policinë dhe spitalet.
“Kosova po rrezikon të ketë ndërprerje të furnizimit me ushqim për spitalet, për ushtrinë për policinë për shkak të pamundësisë së bizneseve që t’i bëjë këto furnizime me çmime të njëjta si rezultat i ndryshimeve të mëdha. Disa biznese kanë filluar të bëjnë edhe padi ndaj shtetit për shkak të mos ndryshimeve edhe përkundër kërkesave”, është shprehur ai.
Javë në parë, Qeveria mori vendim për dyfishim të asistencës sociale për muajin prill, 100 euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit për muajin prill, 100 euro për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, 100 euro për 80 mijë punëtorët e sektorit publik dhe 100 euro për 80 mijë studentët.
Deri tash këto mjete nuk janë shpërndarë për punëtorët e sektorit privat dhe studentët. /Kosovapress
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




