Gazeta Si – Armando Broja ka humbur shumë nga forma që kishte deri disa javë më parë. Sulmuesi i Kombëtares jo vetëm nuk po shënon me Sauthemptonin prej disa ndeshjesh, por edhe po aktivizohet më pak nga trajneri.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Kristal Pallasit, ku Sauthemptoni humbi 1-2, Broja u aktivizua vetëm 25 minuta. Ai hyri në fushë në minutën e 65-të dhe nuk arriti të linte gjurmë. Është e qartë se lojtari i Kombëtares nuk është më ai i kohës kur elektrizonte tifozët e Sauthemptonit me golat dhe lojën e tij.

Një moment të vështirë po kalon edhe Myrto Uzuni në Spanjë, ku ende nuk ka gjetur golin e parë me fanellën e Granadës, që lufton për mbijetesë në La Liga. Beratasi ishte titullar në barazimin 1-1 ndaj Selta Vigos dhe la fushën në minutën e 76-të, pa lënë ndonjë shenjë në ndeshje. Aventura spanjolle nuk ka shkuar ashtu siç pritej për Uzunin, të paktën deri tani.
Trajneri Reja duhet të shqetësohet për formën e dy prej lojtarëve që konsiderohen të rëndësishëm për sulmin kuqezi. Deri në ndeshjet e Ligës së Kombeve me Izraelin dhe Islandën, që zhvillohen në qershor, Broja dhe Uzuni duhet ta kenë kaluar këtë ngërç goli.
Për momentin, sulmuesit më në formë të Komëtares janë Rei Manaj dhe Xhakomo Vrioni. Manaj ka bërë ndeshje të mira me Specian, edhe pse ka shënuar pak, kurse Vrioni po kalon një moment shumë të mirë në Austri, ku pretendon edhe trofeun individual të “Këpucës së Artë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




