Gazeta Si – Espanjoli kërkon t’ia besojë stolin italianit Fabio Kanvaro për sezonin e ardhshëm. Klubi katalanas e sheh ish-mbrojtësin e famshëm si njeriun e duhur për të qenë në krye të skuadrës, pas eksperiencës që Kanavaro ka fituar në Kinë si trajner.
Sipas shtypit spanjoll, kontaktet me drejtuesve të klubit dhe ish-kampionit të botës kanë avancuar dhe duket se akordi është shumë afër. Nëse marrëveshja konkretizohet, Kanavaro do të kishte nën urdhrat e tij mesfushorin e Kombëtares, Keidi Bare, aktualisht i dëmtuar.

Sezoni aktual nuk ishte pozitiv për Espanjolin, që pak javë para fundit mban vendin e 14-të, duke qenë pranë zonës së rënies nga kategoria, edhe pse nuk rrezikon. Bare ka qenë titullar në një pjesë të mirë të ndeshjeve, por dëmtimet nuk e kanë lejuar të shfaqë gjithë potencialin e tij. Tri javët e fundit Espanjoli ka pësuar vetëm humbje.
Për Fabio Kanavaron, nëse konkretizohet gjithçka, do të ishte hera e parë që do të drejtonte një ekip në një nga 5 kampionatet më të fortë në Europë, siç është ai spanjoll.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




