Futboll

Bajerni blen Luka Modriçin e ri, 16-vjeçarin e rekordeve Lovro Zvonarek

Gazeta Si – Një talent, jo vetëm në vendin e tij. Bajerni i Mynihut ka zyrtarizuar blerjen e Lovro Zvonarek, talentit të datëlindjes 2005, nga Slaven Belupo. Lojtari kroat do të bashkohet me bavarezët në korrik dhe për të klubi gjerman ka paguar 1.8 milionë euro.

Zvonarek, 16 vjeç, është mbajtës i disa rekordeve domethënëse. Ai është një lojtar premtues me shumë klas, por edhe me personalitet.

Në ndeshjen e fundit të kampionatit, ku Slaven Belupo barazoi 0-0 ndaj Hajdukut të Splitit, Zvonarek jo vetëm që mbajti veshur fanellën me numrin 10, por kishte në krah edhe shiritin e kapitenit. Ai është kapiteni më i ri në moshë për Slaven Belupon, kampionatin kroat dhe gjithë Europën.

I krahasuar me Luka Modriç, Zvonarek ndaj Hajdukut ishte kapiten në moshën 16 vjeç, 11 muaj e 16 ditë. Rekordin në kampionatet europiane e mbante Kristofer Ajer (tani te Brentfordi) që në prill të 2015-ës zbriti në fushë si kapiten i Startit në kampionatin norvegjez, kundër Lilestrom. Ajer ishte në atë kohë 16 vjeç, 11 muaj e 20 ditë, pra 4 ditë më i madh se Zvonarek.

Për talentin e ri të Bajernit nuk është rekordi i vetëm: ai është edhe lojtari më i ri në moshë që ka shënuar në kampionatin kroat (16 vjeç e 14 ditë). Bajerni e ka marrë për të forcuar skuadrën e dytë, duke shpresuar që së shpejti të luajë edhe në Bindesligë për të treguar se është një talent, jo vetëm në vendin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë