Gazeta Si – Për herë të dytë Tirana ka shtyrë festën e titullit kampion. Kryesuesit e Superiores janë mundur në Laç nga ekipi vendës, që tashmë është afruar në 12 pikë. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për kryeqytetasit, me të njëjtin rezultat, 1-0.
Ndeshja u vendos nga një gol i sulmuesit Guindo në pjesën e parë. Tirana duket sikur e ka hequr ‘këmbën nga gazi’ këto javët e fundit, e ndikuar pa dyshim nga diferenca e madhe e pikëve me ndjekësit e saj.

Partizani ndërkohë ka fituar 3-1 derbin me Dinamon, që u luajt në “Selman Stërmasi”. Një fitore që e mban skuadrën e kuqe me shpresë për vendin e tretë, që do të mundësonte pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Dinamo, që i ka mbyllur llogaritë me elitën e futbollit shqiptar, ka pësuar sot humbjen e 7-të radhazi.
Stenio Zhunior shënoi golin e parë për Partizanin dhe pak minuta më pas Cara arriti të dyfishonte. Ndeshja për Partizanin u komplikua afër fundit të pjesës së parë, kur Matondo shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën e tij me 10 vetë.
Agim Ibraimi shkurtoi diferencën me penallti. Më pas Dinamo pati kontrollin e lojës, duke e detyruar Partizanin të qëndronte prapa, por pa mundur të gjente golin e barazimit. Cara përfitoi nga një gabim i bluve në fundin e ndeshjes dhe shënoi edhe golin e tretë me një parabël të bukur. Sfida e radhës për të kuqtë është ajo me Kukësin rival.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




