Futboll

Superiore/ Derbi vendimtar për Partizanin ndaj Dinamos, Tirana do titullin në Laç

Gazeta Si – Kampionati i Superiores është në sprintin final të tij, sot luhen tri nga pesë ndeshjet e javës së 31-të. Janë tri ndeshjet më të rëndësishme, derbi Partizani-Dinamo, Laçi-Tirana dhe Teuta-Kukësi.

Tirana do të zyrtarizonte titullin kampion që sot, nëse do të marrë një pikë në fushën e Laçit të vendit të dytë. Skuadra e trajnerit Orges Shehi, që vjen pas humbjes me Kastriotin në shtëpi, titullin e ka të sigurt, është vetëm çështje kohe çertifikimi i tij. Tirana udhëheq kampionatin me 66 pikë, e ndjekur nga Laçi me 51.

Nga nje ndeshje mes Tiranes dhe Laçit. Gazeta Si, 29 prill 2022

Laçi i trajnerit Shpëtim Duro kërkon të blindojë vendin e dytë në kampionat dhe më pas të mendojë i qetë për finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Vllaznisë. Kurbinasit sot do të kërkojnë edhe ‘hakmarrjen’ për humbjen e thellë të fazës së tretë, 4-0 në kryeqytet.

Derbi i sotëm ka rëndësi të madhe për Partizanin, që është në lojë për një vend në kupat e Europës, kurse Dinamo i ka thënë lamtumirë Superiores, edhe pse jo matematikisht. Të kuqtë po kalojnë një moment të vështirë, pas goditjes që morën me eliminimin nga Kupa, por sot janë të detyruar të fitojnë në “Selman Stërmasi”.

Në ndeshjen tjetër, që nis në orë 19:45, Kukësi duhet të marrë pikë në Durrës për të ruajtur vendin e tretë me çdo kusht, sepse në të kundërt mund të humbasë Europën.

Abissnet Superiore, java e 31-të
Sot, ora 16:45
Partizani-Dinamo
Laçi-Tirana
Ora 19:45
Teuta-Kukësi
Të shtunën
Kastrioti-Egnatia
Vllaznia-Skënderbeu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë