Gazeta Si – Situata ka ndryshuar papritur. Në mbrëmjen që i gjithë populli milanist e ëndërronte pikërisht ashtu si ndodhi në Bolonja, ku Interi humbi 2-1 dhe shpërdoroi shansin për të marrë kryesimin e renditjes së Serisë A.
Tani Milani është padron i fatit të tij, është sërish i pari, me 2 pikë para rivalëve. Dy pikë janë pak, por mund të jenë edhe shumë për t’u administruar në 4 ndeshjet e mbetura të kampionatit. Me 10 pikë në këto 4 ndeshje skuadra e Piolit do të shpallej kampione e Italisë.

Llogaria është e thjeshtë: Interi ka 72 pikë dhe nëse do t’i fitonte të gjitha ndeshjet e mbetura, do të shkonte në kuotën 84. Milani, aktualisht me 74 pikë, me 10 të tjera do të shkonte në të njëjtën kuotë, por ka avantazhin e ndeshjeve direkt (1-1 dhe 2-1 derbit në favor të kuqezinjve).
Në mënyrë surprizë, – pasi gjithçka pritej, përveç humbjes së Interit në Bolonja dhe gafës së Radu, – Ibra me shokë duhet të mendojnë vetëm për ndeshjet e tyre. Me Fiorentinën në shtëpi, Veronën në transfertë, Atalantën në shtëpi dhe Sasuolon në transfertë, duhen 10 pikë për të marrë titullin.
Nga ana tjetër, Interi riniset nga transferta e së dielës në Udine, para se të përballet me Empolin në shtëpi, Juventusin në finalen e Kupës së Italisë, Kaljarin në trasfertë dhe Sampdorian në shtëpi. Gjithçka në 360 minutat e fundit të kampionatit, që do të jenë emocionuese dhe mund të sjellin të tjera surpriza.
Megjithatë Milani, që dukej ‘viktimë’ e fatit, tani mund të buzëqeshë: titulli varet nga ajo që vetë ‘Djalli’ do të bëjë në fushë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




