Futboll

Video/ Liverpuli nuk i jep asnjë shans Vilarrealit, një hap larg finales së 10-të

Gazeta Si – Një ndeshje me sens unik ishte ajo që u luajt në “Anfield”, ku të besuarit e Jurgen Klop dominuan nga minuta e parë tek e fundit dhe fituan 2-0. Por ata u përplasën në murin e skuadrës së Unai Emeri gjatë pjesës së parë, si dhe te traversa, që u godit nga Tiago. Dy golat e fitores erdhën në pjesën e dytë.

Duhej një devijim në fakt, që të zhbllokoheshin shifrat e kësaj gjysmëfinaleje të Ligës së Kampionëve mes Liverpulit dhe Vilarrealit. Tani finalja është një hap larg pas këtij rezultati për skuadrën e Jurgen Klop.

Diferencat në fushë mes Liverpulit dhe Vilarrealit ishin të mëdha, në të gjithë treguesit, por spanjollët rezistuan në pjesën e parë. Gjithsesi, anglezët nuk e vuajtën presionin e rezultatit dhe sulmet e tyre ishin të pandalshme. Në minutën e 53-të Henderson gjeti golin, i ndihmuar nga devijimi i Estupian, ndërsa portieri Ruli nuk mundi ta ndalte topin që përfundoi në rrjetë.

Vetëm 2 minuta më pas Sadio Mane dyfishoi shifrat, pas një topi të marrë në qendër të zonës. Është për t’u luajtur edhe ndeshja e kthimit në Spanjë, por me shumë mundësi, ëndrra e Vilarrealit do të përfundojë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Liverpuli nuk fal kollaj, finalja e 10-të në Ligën e Kampionëve është shumë pranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë