Drejtësia

Tahiri kërkon pafajësinë, Gjykata e Posaçme e Apelit regjistron rekursin

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka njoftuar se ka regjistruar rekursin e depozituar nga ish-ministri Saimir Tahiri kundër vendimit që e dënon atë me 3 vite e 4 muaj burg.

“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 26.04.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u depozitua dhe u regjistrua rekursi nr. 79, datë 26.04.2022, paraqitur nga i pandehuri S.T., ndaj vendimit nr. 03, datë 04.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilin u deklaruan fajtorë të pandehurit S.T. dhe J.Ç. për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Në rekursin e depozituar në Apelin e GJKKO ish-ministri i Brendshëm, kërkon pezullimin e dënimit me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre.

Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” dhe jo për akuzat për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Në kërkesën e bërë nga Tahiri, mes të tjerash argumenton se vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim mund të sjellë pasoja të rënda për të, si dhe për familjen e tij.

Kjo për shkak të detyrës që ka mbajtur dhe ai rrezikon dhe mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen në burgun e Fierit.

Në rekurs thuhet më tej se edhe familja e tij gjendet e ekspozuar ndaj pasoja të mundshme.

Më herët SPAK ka bërë kërkesë në Gjykatën e Lartë që ish-ministri të përballet edhe me akuzat për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.

Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj.

Sipas saj, këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë