Futboll

Video/ Festival golash në ‘Etihad’. Fiton Siti, por Reali mbetet në lojë

Gazeta Si – Spektakli ishte i garantuar. Golat po ashtu. Plot 7 u shënuan në “Etihad”, 4 nga të cilët nga të zotët e shtëpisë. Mançester Siti ka fituar aktin e parë gjysmëfinal në Champions ndaj Real Madrid, me rezultatin 4-3.

Pep Guardiola dhe të tijtë janë të favorizuar nga kjo fitore, por Reali mbetet Real, sidomos në Champions. “Qytetarët” u gjendën tri herë në avantazh të dyfishtë dhe në të tre rastet të besuarit e Ançelotit arritën të shkurtonin dhe të mbeteshin në lojë.

Goli i parë erdhi pa u mbushur ende dy minuta nga De Bryjne, i cili goditi saktë me kokë pas një krosi të Mahrez nga e djathta. Gabriel Jesus dyfishoi rezultatin, por i përhershimi Benzema futi Realin në lojë, duke shkurtuar shifrat në 2-1.

Me fillimin e pjesës së dytë, Foden realizoi edhe të tretin për Mançester Sitin. Edhe ai shënoi me kokë në qendër të zonës, ku Reali pari më shumë probleme në këtë ndeshje. Reagimi i spanjollëve erdhi menjëherë me Vinicius, brazilianin që shënoi golin e dytë pas një shkëputjeje të bukur.

Pastaj ishte radha e Bernardo Silvës të mposhtte portierin Kurtua me një gjuajtje të fortë dhe 4-2. Karim Benzema do të shënonte me penallti edhe golin e tretë për Realin dhe të dytin personal. Një gol që mban gjallë shpresat e madrilenëve për kualifikimin për në finale.

Ançeloti nuk preferoi të rrezikonte me Kasemiron, i cili vinte nga dëmtimi dhe qëndroi gjithë kohën në stol. As Alaba nuk ishte në gjendje optimale dhe u ndërrua pas pjesës së parë. Guardiola humbi mbrojtësin Stons gjatë pjesës së parë për dëmtim. Gjithçka mbetet e hapur për në ndeshjen e kthimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë