Nga Gazeta Si - Mbledhja e sotme në Komisionin Parlamentar të Edukimit është shoqëruar me debate të forta, pasi deputetja e PD-së Ina Zhupa është përplasur ashpër me ministres e Kulturës, Elva Magariti, e cila po raportonte për planin e menaxhimit të Parkut të Butrintit.
Debati nisi pasi Zhupa i kërkoi drejtuesit të Komisionit, Petro Koçit, që të mos i jepte fjalën ministres Margariti, duke përplasur edhe dorën mbi tavolinë, ndërsa tha se marrëveshja për dhënien e Butrintit me koncesion 10-vjeçar është sekret.
Zhupa iu drejtua më pas Ministres duke i thënë se kërkon ta japë Butrintin si mall, sikurse bëri me Teatrin. Ministrja i është përgjigjur duke i thënë se edhe nëse nuk i pëlqen fjala e saj, do ta dëgjojë deri në fund.
Por Zhupa më pas është afruar drejt ministres duke i hequr me forcë mikrofonin.
Ministrja Margariti gjatë fjalës së saj, u shpreh se menaxhimi do të bëhet nga shteti, ku një pjesë e të ardhurave do të derdhen në arkën e kujdesit të trashëgimisë dhe pronësinë e Butrintit do të vijojë ta ketë shteti.
“Ky model menaxhimi është një model hibrid, jo fitimprurës, aseti është pjesë e shtetit shqiptar, asnjë pronësi nuk i kalon asnjë fondacioni apo etniteti tjetër”.
Sipas Marrëveshjes së Administrimit, ministrja tha se i jepet Fondacionit e drejta dhe detyrimi i administrimit të pasurisë kulturore (jo pronësinë) për një periudhë 10-vjeçare me të drejtë rinovimi nëse modeli rezulton i suksesshëm. Në këtë aspekt Ministria e Kulturës do të angazhojë rreth 2 milionë USD, të mbledhura ndër vite në Butrint ndërsa Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) do të angazhojë rreth 5 milionë USD. Të gjitha këto fonde të kombinuara së bashku me afrimin e donatorëve të tjerë do të bëjnë të mundur realizimin e planit të biznesit për operimin sa më efektiv të Butrintit.
Margariti tha se marrëveshja parashikon që Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, (por nuk bën publik emrat), ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Riçard Hoxhes.
Më herët, në një deklaratë për mediat, deputetja e opozitës dhe anëtarja e Komisionit të Edukimit dhe Medias, Ina Zhupa u shpreh se qeveria po mban të fshehtë marrëveshjen e nënshkruar me fondacionin që do të menaxhojë Parkun Kombëtar të Butrintit.
Ajo ka kërkuar që të vihet në dispozicion marrëveshja e plotë bashkë me aktet e fondacionit.
Projektligji pritet të ratifikohet në parlament.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.