Futboll

Tirana humb dhe shtyn festën e titullit, rënia më afër për Dinamon e Skënderbeun

Gazeta Si – Kastrioti i “mrekullive” ka mundur sot edhe Tiranën për javën e 30-të të Superiores, me rezultatin 0-1. Një gol i afrikanit Onanuga ka bërë që kryeqytetasit të shtyjnë festën e titullit kampion. Kur kanë mbetur edhe 6 javë kampionat, ata janë 15 pikë larg vendit të dytë.

Tirana është rikthyer në “Selman Stërmasi”, në shtëpinë e saj, por nuk mundi t’i kënaqë tifozët me një fitore. Krutanët ndërkohë vazhdojnë serinë e fitoreve dhe nga skuadër mbijetese, tani po i afrohen zonës europiane.

Renditja pas javes se 30-te. Gazeta Si, 24 prill 2022

Dinamo dhe Skënderbeu i janë afruar edhe më shumë Kategorisë së Parë. Si blutë, ashtu edhe korçarët, janë mundur në ndeshjet, që ishin konsideruar si “treni i fundit” i qëndrimit në Superiore. Dhe janë mundur nga rivalë direktë, Egnatia dhe Teuta, duke e thelluar diferencën e pikëve dhe duke pritur matematikën për të çertifikuar rënien.

Rrogozhinasit fituan në Korçë me një gol të Imerit, por duhet theksuar se ndeshja u kushtëzua nga një karton i kuq i dhënë me VAR për korçarët. Berisha, i ndëshkuar fillimisht me të verdhë, e la skuadrën me 10 vetë për një faull të rëndë ndaj kundërshtarit.

Dinamo pësoi humbjen e 5-të radhazi në Elbasan, ku Teuta mori 3 pikët falë një gabimi të rëndë të portierit Simoni, i cili i dhuroi topin Hebajt. Blutë patën pretendime në dy raste për penallti, por në asnjë rast arbitri Laver Alla nuk u dha të drejtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë