Gazeta Si – Ka përfunduar 0-0 në Shkodër ndeshja mes Vllaznisë dhe Partizanit. Të kuqtë kanë rezistuar në “Loro Boriçi dhe kanë ruajtur vendin e katërt, që në fakt nuk do t’i çonte ata në Europë, nëse Kupën e fiton Vllaznia.
Shkodranët duket se e kanë harruar fitoren. Edhe në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, pikërisht ndaj Partizanit, ata u kualifikuan me penallti, pasi të dyja ndeshjet u mbyllën në barazim, ashtu si sot. Një rezultat që penalizon Vllazninë, sepse humbi shansin e parakalimit.

Ndeshja nisi me një gol të Skukës, por që u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Gjatë lojës pati tentativa nga të dyja skuadrat, megjithatë mungoi finalizimi. Nuk munguan as rastet e diskutueshme. Vllaznia pretendoi për një penallti, pas pengimit në zonë të Latifit, por arbitri Xhaja vazhdoi lojën.
Tani Vllaznia duket se shpreson më shumë te fitimi i Kupës së Shqipërisë në finalen me Laçin, që mban edhe vendin e dytë në kampionat. Nëse Kupën e fitojnë shkodranët, atëherë Partizani do të digjej me vendin e 4-t në kampionat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




