“Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet e mëparshme”, ka theksuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë Mbledhjes së Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore në Uashington.
Sejko shtoi se inflacioni në Shqipëri pritet të qëndrojë mbi objektivin e Bankës gjatë vitit 2022, në pasqyrim të goditjeve që vijnë nga çmimet e rritura në tregjet ndërkombëtare, megjithatë, kjo goditje do të ketë efekte të përkohshme.
Ai u shpreh se dy vitet e fundit kanë qenë të paprecedenta dhe sfiduese për ekonominë shqiptare, duke u përballur me tërmetin e vitit 2019, pandeminë e cila filloi në vitin 2020 me pasojat e së cilës ende po përballemi dhe viti 2022 i cili përkon me nisjen e sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe krizën ndërkombëtare të çmimeve.
Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori tha se ai shfaqet i qëndrueshëm ndaj goditjeve dhe efekteve prej dy vitesh të pandemisë dhe se veprimtaria e tij vijon të zgjerohet mbështetur kryesisht nga depozitat, fitimi i tij është përmirësuar ndërsa likuiditeti mbetet i lartë. Falë planit të masave për reduktimin e kredive me probleme dhe angazhimit të Bankës së Shqipërisë tashmë raporti i kredive me probleme ka shënuar vlerën më të ulët në 15 vitet e fundit, 5%.
Në vijim, Guvernatori theksoi se përballë rritjes së çmimeve të ushqimeve, të lëndëve të para dhe të produkteve bazë, politika monetare u përshtat duke synuar krijimin e kushteve të nevojshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit të Bankës së Shqipërisë me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të ekonomisë.
Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar ishte efektiviteti i politikës të deeuroizimit të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë me qëllim stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sektorit bankar dhe të sistemit financiar.
Kjo politikë krijoi kushte më të favorshme për një transmetim më të mirë të politikës monetare duke ulur në këtë mënyrë rreziqet për stabilitetin financiar dhe politikën fiskale, pavarësisht shkallës së lartë të euroizimit të ekonomisë shqiptare.
Në lidhje me mbikëqyrjen bankare Guvernatori Sejko u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë përmirësimin e vazhdueshëm të rolit të tij mbikëqyrës, përqasjen proaktive të rregullimit bankar, rritjen e sigurisë së sistemit bankar dhe nxitjen e zhvillimit të digjitalizimit të sistemeve dhe përmirësimin e sistemit të pagesave duke ndjekur standardet ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Ata inkurajuan Bankën e Shqipërisë të vijojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.

Më në veçanti, përfaqësuesit e FMN-së mbështetën vendimin e Bankës së Shqipërisë për rishikimin e qëndrimit të politikës monetare. Paralelisht me të, ata nënvizuan nevojën e monitorimit të vazhdueshëm të presioneve inflacioniste dhe, në rast se do të jetë e nevojshme, reagimin e mëtejshëm të politikës monetare për të garantuar respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve. Sipas tyre, Shqipëria ka treguar të jetë një histori suksesi në përballimin e krizave dhe vendi është transformuar pozitivisht në mënyrë të rëndësishme gjatë viteve.
Në kuadër të sfidave aktuale, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë theksuan se koordinimi midis politikës fiskale dhe asaj monetare është i nevojshëm për të frenuar pasojat ekonomike dhe financiare të luftës në Ukrainë dhe efektet e vazhdueshme të pandemisë.
Gjatë takimeve, ata gjithashtu inkurajuan çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si një faktor kyç në përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin e vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



