Mbledhja e grupit parlamentar e thirrur nga kreu i tij, Enkelejd Alibeaj u zhvillua me debate në selinë blu pas ftesës së socialistëve për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Përplasja ka ndodhur mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj.
Berisha e ka quajtur Alibeajn “i përzgjedhur i Taulant Ballës” dhe i tha se “të mbajnë peng”.
“Peng je ti”, i është kthyer Alibeaj. Ndërkohë që në këtë debat ka ndërhyrë dhe Flamur Noka duke i kërkuar kreut të grupit parlamentar të PD që të mos i drejtohet me atë gjuhë Berishës.
“Ai që ndjehet opozitar i vërtetë nuk mund të imagjinojë kurrë që të marrë pjesë në një proces mafioz të zarfave secrete”, ka thënë Berisha.
Anëtarja e Komisionit të Rithemelimit, deputete e PD, Albana Vokshi i ka kërkuar Alibeajt të bëjë kërkesë në Kuvend për pesë deputetët e përjashtuar, për t’u cilësuar deputete te Grupit Parlamentar të PD.
“Jemi 5 deputetë të përjashtuar. Duhet te bëni kerkesen ne Kuvend”, mësohet të jetë shprehur Vokshi.
Alibeaj është përgjigjur se: “Nuk zhbëj dot unë me vullnet personal. Vendime që janë marrë nga organe të partisë. Se akuzuat Bashën që merr vendime personale për përjashtimin e Sali Berishes, tani unë nuk do marr vendim personal për futjen tuaj”.
Në mbyllje të mbledhjes së tensionuar, Berisha doli para gazetarëve. Ai e cilësoi të gjithë procesin e nisur nga socialistët për përzgjedhjen e kandidaturave për Presidentin e ri si farsë të Edi Ramës dhe PD s’mund të bëhet pjesë e kësaj farse.
“Imagjinoni ju kur jepen emrat me zarfe brenda grupit parlamentar se çfarë mund të presësh nga negociatat me opozitën. Rregulli i parë i negociatave duhet të jetë transparenca”, tha Berisha.
Pas Berishës, para mediave doli Enkelejd Alibeaj. Procesin me zarfe e kritikoi edhe ai, por u nda me Berishën për rrugën që duhet të ndjekë PD për t’u përballur me Ramën.
“PD duhet të përballet. Ka dy rrugë. Njëra është që me bishtin ndër shallë të shmangemi. Ne përfaqësojmë gjysmën e shqiptarëve dhe duhet të përballemi, duke i grisur fasadën që po bën me zarfe dhe shoqëri civile. Presidenti simbolizon unitetin e popullit. Rama do ta zgjedhë në fund me votat e veta, por është detyrimi ynë që të përballemi me të”, deklaroi Alibeaj.
Sa i takon propozimit të bërë për bashkimin e demokratëve, ku në një pikë të paketës kërkohet tërheqja e Sali Berishës nga ambicia për t’u zgjedhur kryetar i partisë, Enkelejd Alibeaj u shpreh se ka mbështetjen e shumicës së grupit parlamentar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.