Drejtësia

I uli dënimin Arben Grorit, ILD kërkon shkarkimin e gjyqtarit të Elbasanit

Gazeta Si – Pas uljes së dënimit me 2 vjet burg të të dënuarit Arben Grori, ILD i ka kërkuar KLGJ shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Elbasanit, Taulant Tafa.

Në notën informuese të ILD-së, thuhet se në vendimin e dhënë për Grorin, Tafa ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara.

Sipas ILD, janë kryer shkelje disiplinore nga Tafa, duke kërkuar shkurtimin e gjykimit ndaj Grorit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit.

ILD ka analizuar vendimmarrjen 4-vjeçare të magjistratit (2017-2021), me objekt ulje dënimi, dhe konstaton, se gjyqtari ka vepruar ndryshe në dhënien e 155 vendimeve të tjera.

Shtatë nga këto kërkesa, janë nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm”, e ku janë respektuar kriteret formale ligjore.

“Veprimet/mosveprimet e kryera në kundërshtim me ligjin nga ana e gjyqtarit, kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë përfitimin e padrejtë nga i dënuari Grori të uljes së dënimit në masën 720 ditë, si dhe cënimin e prestigjit të magjistratit në veçanti dhe cënimin e besimit të publikut te drejtësia”, – thuhet në deklaratën e ILD.

Pas kësaj kërkese, i përket Këshillit të Lartë Gjyqësor që të shqyrtojë çështjen duke marrë në konsideratë provat e ILD-së si edhe deklarimet e gjyqtarit Tafa. Në fund, KLGJ do të vendosë nëse do ta marrë apo jo parasysh kërkesën e ILD-së.

Arben Grori, është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999 nga Gjykata e Pestë Penale e Milanos në Itali.

Një vendim që u njoh dhe u la në fuqi më pas dhe nga Gjykata e Apelit po në Milano. Grori u gjet fajtor për vrasjen e Naim Zyberit (vrasësi i vëllait të tij në kryeqytet, Artur Grori), në një spital në Milano, ku ndodhej i shtruar.

Vendimi i fajësisë dhënë nga drejtësia italiane, është njohur më pas nga gjykatat shqiptare dhe prej shumë vitesh ai ndodhet në burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë