Futboll

Tjetër moment i vështirë për Marash Kumbullën, spektator në ndeshjet e fundit

Gazeta Si – Mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla, po kalon një sezon të vështirë te Roma në aspektin personal. Kur u duk se ‘krisja’ me trajnerin Mourinjo ishte lënë pas krahëve dhe lojtari kuqezi kishte fituar besimin e tij, sërish Kumbulla nuk po e sheh fushën e blertë.

Edhe ndaj Napolit, ku Roma barazoi 1-1, Kumbulla qëndroi 90 minuta në stol, ashtu si ndaj Bodo Glimt në Ligën e Konferencës javën e kaluar. Roma po luan ndeshje të shpeshta në kampionat dhe Kupat e Europës, por sërish për mbrojtësin kuqezi nuk ka pasur vend. Që pas ndeshjes me Salernitanën, kur u ndërrua në pushim, Kumbulla nuk ka zbritur më në fushë.

Marash Kumbulla gjate nje ndeshjeje me Romen. Gazeta Si, 19 prill 2022

Me Mourinjon në stol, pavarësisht vlerësimeve të këtij të fundit, lojtari i Kombëtares do ta ketë gjithmonë të vështirë dhe ndoshta është momenti të mendojë për një aventurë të re, për një skuadër, ku mund të aktivizohet rregullisht dhe të rritë nivelin e tij profesional.

Është rikthyer ndërkohë nga dëmtimi mbrojtësi tjetër kuqezi, Berat Gjimshiti. Ai luajti në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Veronës, ku Atalanta humbi 1-2. Gjimshiti u hodh në fushë nga trajneri Gasperini, kur rezultati ishte 0-2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë