Gazeta Si – Punonjësit e Policisë së Pikës Kufitare të Kukësit, të arrestuar disa ditë më parë për korrupsion, kanë ankimuar masat e sigurisë në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Nëpërmjet avokatëve të tyre, ata kërkojnë ndryshim të masave të sigurimit dhe shpalljen e moskompetencës nga GJKKO dhe dërgimin e çështjes për hetimeve të mëtejshme në Prokurorinë dhe Gjykatën e Kukësit.
Argumenti i avokatëve, ka të bëjë me faktin që sipas vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë, vepra penale e korrupsionit që është poshtë shifrës 500 mijë lekë të vjetra, nuk është kompetencë e SPAK, por e gjykatës së rrethit.
32 punonjësit e policisë u vendosën në pranga pas hetimeve disa mujore të kryera nga SPAK, ku dyshohet se ata merrnin ryshfet për të kaluar pa u regjistruar në sistemin TIMS të qytetarëve, përfshirë dhe favore të tjera.
Sipas informacioneve paraprake nga hetimet, ka rezultuar se policët shqiptarë i merrnin qytetarëve minimalisht deri në 10 euro, të cilat i ndanin më pas me njëri-tjetrin në fund të turnit. Ndërsa fitimet ndërmjet tyre arrinin deri në 8000 euro në ditë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




