Drejtësia

Bllokoi llogaritë bankare të kreditorit që ndërroi jetë, lirohet përmbaruesi Fatos Alimadhi

Gazeta Si – Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka liruar nga qelia Fatos Alimadhin, përmbaruesin privat që u arrestua dy ditë më parë pas kallëzimit të një qytetareje për bllokim të llogarisë bankare padrejtësisht.

Gjykata kërkoi që prokuroria të hetojë rreth skemës së përmbaruesit, si dhe të verifikohet kallëzimi i qytetares në fjalë.

Sipas dosjes, kredia është marrë në një bankë të nivelit të dytë dhe më pas është shitur tek një tjetër institucion financiar mikro-kredie.

Rezulton se kredimarrësi ka ndërruar jetë 10 vite më parë dhe kredia e marrë, duhej shlyer me siguracionin e jetës.

Referuar dosjes hetimore Fatos Alimadhi u arrestua, pasi më datë 12 prill është kallëzuar nga shtetësja, M.Ç., 57 vjeçe. Në ambientet e gjykatës ishte i pranishëm edhe vëllai i të arrestuarit, ish-deputeti Adriatik Alimadhi.

Bashkë me përmbaruesin privat Fatos Alimadhi, u proceduan penalisht edhe dy përmbaruesit e tjerë privat S.D. dhe P.Q., të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Përmbaruesi privat Fatos Alimadhi është arrestuar edhe më parë nën akuzat për mashtrim me qytetarët. Në vitin 2015, Prokuroria e Tiranës dërgoi dosjen për gjykim ndaj 54-vjeçarit, duke e akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda, duke përvetësuar 4.5 milionë lekë të reja nga disa qytetarë që kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.

Fatos Alimadhi është arrestuar edhe në 2018-ën, pasi duke shpërdoruar detyrën ka përfituar nëpërmjet vjedhjes shumën prej 32.255 euro në lidhje me shitjen e një apartamenti. Duke e shitur disa herë më lirë nga sa e parashikonte ligji. Përmbaruesi Alimadhi në atë kohë iu shmangur hetimit duke zhdukur dosjen përmbarimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë