Gazeta Si – Interi nuk gabon dhe rrit presion te Milani dhe Napoli. Zikaltrit kanë fituar 1-3 në fushën e Specias dhe morrën përkohësisht kreun e Serisë A, duke u ngjitur në kuotën e 69 pikëve. Një kryesim që zgjati vetëm pak orë, sepse Milani reagoi menjëherë, duke mundur 2-0 Xhenoan.
Në javën e 33-të të kampionatit, skuadra e trajnerit Simone Inzagi ka arritur fitoren e tretë radhazi. Brozoviç zhbllokoi shifrat me një të majtë precize në pjesën e parë, i shërbyer nga D’Ambrozio. Në pjesën e dytë dyfishoi rezultatin Lautaro Martinez, duke devijuar drejt rrjetës një top të krosuar nga Perisiç. Maxhore shkurtoi diferencën në 1-2 dy minuta para fundit, kurse në shtesë Sançez realizoi edhe golin e tretë për Interin.
Rei Manaj, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, luajti titullar në këtë ndeshje, në majë të sulmit të Specias. Ai u zëvendësua nga trajneri Tiago Mota pas 1 ore lojë dhe nga ajo që u pa nga telekamerat, nuk e priti aspak mirë këtë zëvendësim.
Milani bëri detyrën në shtëpi ndaj Xhenoas. Skuadra e trajnerit Stefano Pioli mundi 2-0 Xhenoan, me gola të Rafael Leaos që në fillim dhe pastaj të Mesias në fund. Kuqezinjtë rimorën kryesimin, tani kanë 71 pikë, 2 më shumë se Interi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




