Futboll

Mourinjo kërkon finalen e Tiranës: Na takon të mbajmë lart flamurin e Italisë

Gazeta Si – Zhoze Mourinjo e ka shijuar kalimin në gjysmëfinale të Ligës së Konferencës. Roma mundi 4-0 Bodo Glimt dhe u kualifikua. Ajo është e vetmja skuadër italiane e mbetur në tre kompeticionet europiane për klube.

“Luajtëm mirë, me intensitet, presing dhe kualitet. Që në momentin e 2-0 e kuptuam se e kishim arritur kualifikimin, – ka thënë trajneri portugez. – Unë isha shumë optimist edhe pas humbjes në ndeshjen e parë, gjithmonë kisha mendimin se jemi superiorë. Është e papranueshme që i kemi mundur vetëm në ndeshjen e katërt, por në fund të fundit ishte ajo që kishte më shumë rëndësi”.

Mourinjo, trajneri i Romes. Gazeta Si, 15 prill 2022

Mourinjo tani synon të shkojë në finalen e Tiranës dhe ta fitojë atë, duke mbajtur lart flamurin e Italisë në Kupat e Europës. “Të luash mirë dhe të fitosh është perfekte. Të luash mirë dhe të humbësh nuk i pëlqen askujt, u pëlqen vetëm atyre që fshihen pas filozofisë dhe pastaj nuk fitojnë asgjë. Mendoj se Roma luan më mirë se sa thuhet, kemi bërë ndeshje me kualitet.

Ishte e rëndësishme të kalonim në gjysmëfinale, jo të fitonim thellë dhe t’i turpëronim. Roma e meritoi rezultatin. Është një rrugëtim i gjatë në Ligën e Konferencës, tani jemi ne që duhet të mbajmë lart flamurin e Italisë në Europë, askush nuk arritur deri këtu”, – ka theksuar Mourinjo.

Roma e tij dhe Marash Kumbullës do të ndeshet me Leiçesterin në gjysmëfinale dhe kjo ndoshta është pengesa më e fortë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë