Drejtësia

Evazion fiskal me shitjet ‘online’, lirohen 15 të arrestuarit

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia 15 personat e arrestuar për skemën e ngritur të tregtisë online në rrjetet sociale, duke shmangur tatim-taksat dhe detyrimet doganore. 

Konkretisht, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën ‘arrest shtëpie’ për Klodian Vladin, Jovan Qemerin, Erjol Kaftiranin dhe Erta Xhetanin.

Nga ana tjetër, ka vendosur detyrim paraqitjeje për Malseda Gegën, Jonida Kromidhën, Shkëlqim Pelinkun, Rezarta Gjikën, Erisa Ismailin, Pranvera Rrapushin, Arlinda Dalipajn dhe Estenela Kolën.

Operacioni ka lidhje me aktivitetin në faqet online të paregjistruara dhe të pa fiskalizuara, të cilat bënin evazion fiskal në vlerë miliona euro.

Kjo skemë u mundësonte personave ose subjekteve tregtare që e zhvillonin konkurrencë të pandershme krahasuar me bizneset e rregullta.

Bëhet fjalë për një skemë kontrabandë me shitjet online dhe kryesisht për materiale si kozmetike, veshje dhe aksesorë. Policia ka bllokuar disa magazina, ku janë sekuestruar pako mallrash kontrabandë, pa faturë fiskale.

Të arrestuarit në bashkëpunim edhe me individë që nuk kishin regjistruar bizneset, por dhe me subjekte të tjera tregtare, kishin krijuar një skemë për tregtimin dhe transportimin e produkteve që futen dhe dalin nga  Shqipëria në mënyrë kontrabandë pa iu nënshtruar tarifave doganore dhe duke shmangur detyrimet tatimore.

Nga kontrolli, është konstatuar se shumë prej pakove me destinacion blerësin nuk ishin të pajisura me kupon ose faturë tatimore sipas legjislacionit përkatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë