Drejtësia

Vrasja për borxhin në Vlorë, dënohet me 21 vjet burg në mungesë Elton Hajnaj

Gazeta Si – Elton Hajnaj, i cili akuzohet për vrasjen e Taulant Beqirajt në 3 mars 2021 në Vlorë, është dënuar në mungesë nga gjykata me 21 vite burg për “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”. Por me gjykim të shkurtuar, Hajnajt i ulet dënimi në 19 vite heqje lirie.

Ndërkohë, për dy bashkëpunëtorët e tij Hans Jonuzaj dhe Skerdjan Gabrani, është dhënë dënimi me 6 vite burg.

Që prej datës 10 mars të vitit të shkuar, Hajnaj vijon të jetë në kërkim nga Policia e Vlorës, si autori kryesor i vrasjes së Taulant Beqiraj. Por pas më shumë se një viti ende vijon të jetë në arrati.

Ai është akuzuar si autori i krimit, ngjarje e ndodhur në Rrugën Transballkanike në mes të ditës.

Atentati ku mbeti i vrarë Taulant Beqiraj në Vlorë një vit më parë, dyshohet se ka ndodhur për shkak të një borxhi për rreth 35 mijë euro.

Viktima që njihej edhe me mbiemrin Manaj dyshohet se kishte detyrim ndaj palës tjetër lidhur me shitjen e një automjeti tip “Benz-Mercedez”, për të cilin refuzonte të dorëzonte pagesën.

Ngjarja ndodhi përballë Gjykatës së Apelit Vlorë, teksa viktima po ecte në rrugë, ndërsa autori zbriti nga një makinë me xhama të zi dhe e qëlloi për vdekje.

Viktima ishte person me precedent penal i përfshirë në disa ngjarje kriminale. 31-vjeçari përdorte disa identitete, ai njihej edhe si Taulant Beqiraj, edhe si Taulant Manaj.

Në ekzekutimin e tij kanë marrë pjesë dy persona, ndërsa të paktën edhe një i tretë i ka ndihmuar për t’u larguar me makinë nga vendi i krimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë