Banka Botërore ka rishikuar me rënie rritjen ekonomike të Shqipërisë, në 3.2% nga 3.8% që u parashikua gjatë janarit.
“Në skenarin bazë parashikohet që aktiviteti ekonomik të zgjerohet në nivelet para pandemisë. Pavarësisht kësaj, lufta në Ukrainë mund të nxisë një rritje të mëtejshme të inflacionit, të prishë zinxhiret e furnizimit, tregjet financiare si dhe të minojë besimin në ekonomi. Të gjitha këto mund të zbehin perspektivën e rritjes së Shqipërisë”-thotë Banka Botërore në kapitullin dedikuar Shqipërisë në raportin e sapo publikuar.
Aty shtohet se “Një treg pune i dobët, i kombinuar dhe me rënie të fuqisë blerëse mund të dëmtojë uljen e varfërisë”.
Sa i përket konsolidimit fiskal, Banka Botërore sqaron se shpenzimet e qeverisë pritet të bien, por duke mbetur nën kërcënimin e kostove shtesë për importin e energjisë.
Banka Botërore parashikon një inflacion prej 5% gjatë vitit 2022 dhe 4% gjatë 2023-shit. Pritshmëritë për rritje të mëtejshme të çmimeve në ushqime, energjisë, transportit dhe lëndvëe të para do të minojnë kërkesën e brendshme dhe do të rrisë vulnerablitetin. Kështu do të dëmtohet me tej 40% më i varfër i popullsisë, ku konsumi i ushqimit përbën më shumë se gjysmën e shpenzimeve.
Shqipëria është në pozita më të forta vetëm se Bosnje Herzegovina dhe Maqedonia e Veriut. Kosova ndërkohë projektohet si vendi me rritjen më të lartë në rajon këtë vit, prej 3.9%. Kosova gjithashtu evidentohet si një prej vendeve më pak të prekura nga kriza në terma të rritjes ekonomike, pasi projeksionet janë shkurtuar me vetëm 0.2 pikë përqindje. Për Serbinë impakti i luftës projektohet në 1.3% të PBB-së, për Maqedoninë e Veriut në 1%, dhe për Malin e Zi në plot 2%. Bosnje Herzegovina vlerësohet si vendi me impaktin më të ulët, prej vetëm 0.1%.
Për të 23 vendet e Europës lindore dhe Azisë qendrore, Banka Botërore ka rishikuar në rënie projeksionet. Për Ukrainën ndërkohë flet për një tkurrje të ekonomisë me 45% këtë vit, për Rusinë me rreth 11% dhe me rreth 6.5% për Bjellorusinë.
Banka Botërore ka analizuar gjithashtu impaktin e luftës në të gjitha shtetet sipas sektorëve, ku rezulton se për Shqipërinë impakti më i madh do të jetë në importin e grurit nga Rusi dhe Ukraina si dhe në importin e fertilizuesve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.